Itali/ Shqiptari kthen ndarjen në makth, ndjekje dhe tentativë vrasjeje ndaj partneres si në filmat aksion
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Thebaid në Itali, ku një 32-vjeçar shqiptar akuzohet për tentativë vrasjeje dhe përndjekje të ish-partneres së tij. Ngjarja ka ndodhur pas një ndjekjeje të frikshme me makinë, e cila përfundoi me përplasjen e mjetit të vajzës jashtë rruge.
Sipas karabinierëve të Njësisë Operacionale në Massafra, shqiptari, i cili nuk pranonte ndarjen, ka ndjekur ish-partneren dhe e ka goditur qëllimisht me makinën e tij. Vajza ka përfunduar e lënduar rëndë dhe u transportua me urgjencë në spitalin e Castellanetës për trajtim.
Hetimet zbuluan se një ditë para incidentit, autori e kishte dhunuar dhe kërcënuar me jetë vajzën, duke e përndjekur edhe përmes mesazheve dhe telefonatave për ta detyruar të rikthehej me të. Kur ajo refuzoi, ai iu përgjigj me dhunë, duke tentuar ta vrasë në mënyrë makabre.
Refuzimit të saj iu përgjigj me një skenë si në filmat aksion, me ndjekje makinash në rrugë dhe shkaktim aksidenti me qëllim vrasjen e ish-partneres në shenjë hakmarrjeje, informon media. I akuzuari pas ndalimit u la sot nga gjykata në arrest shtëpiak, teksa pret procesin e hetimit dhe gjykimit.