Itali/ Shqiptari goditet shtatë herë me thikë nga një rumun, plagoset gruaja dhe dhunohet djali i tij
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Rovigo në Itali, ku një shqiptar 36-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pas një sulmi brutal mbrëmjen e së shtunës në zonën “Corso”.
Sipas mediave vendase, ai ka marrë shtatë goditje me thikë në gjoks dhe bark, ndërsa është operuar menjëherë në spital për t’i shpëtuar jetën. Në këtë sulm u plagos edhe bashkëshortja e tij dhe u dhunua fizikisht djali i mitur, vetëm 13 vjeç.
Autori i dyshuar i sulmit është një 24-vjeçar rumun, i njohur më parë nga autoritetet, i cili ndodhet nën hetim. Por hetimet kanë nxjerrë në pah një situatë më të ndërlikuar: përveç rumunit, nën akuzë janë vënë edhe vetë shqiptari i plagosur dhe një i afërm i tij 23-vjeçar, për lëndime të shkaktuara ndaj rumunit.
Aktualisht, janë tre persona të dyshuar në këtë ngjarje.
Nga shtrati i spitalit, shqiptari 36-vjeçar ka dhënë versionin e tij për gazetën italiane “La Voce di Rovigo”. Ai tregon se gjithçka nisi kur u takua me partnerin e nënës së 24-vjeçarit rumun për të sqaruar një konflikt që përfshinte nipin e tij. Gjatë bisedës, sipas tij, i riu rumun u afrua nga pas dhe e goditi me thikë shtatë herë, plagosi gruan e tij dhe rrahu djalin 13-vjeçar.
Nga ana tjetër, avokati i rumunit, Fabrizio De Maio, ka ndërtuar një tjetër version. Sipas tij, klienti ishte viktimë e një sulmi në banesën e tij dhe veproi në vetëmbrojtje.
Policia ka sekuestruar thikën e përdorur në sulm, një armë me teh prej 16 centimetrash dhe gjatësi totale 38 cm dhe do të kryejë ekspertizë mbi të si dhe mbi rrobat e përgjakura të shqiptarit, për të zbardhur të plotë dinamikën e incidentit.
Hetimet po vijojnë për të hedhur dritë mbi autorësinë dhe shkakun e vërtetë të përplasjes së dhunshme.