Itali/ Shqiptari fshihte kokainë në trungje pemësh, arrestohet nga policia

Një 35-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet italiane pasi u kap me lëndë narkotike, të cilën e fshihte në trungje pemësh në një plantacion lajthish në Vairano Scalo. Ai dyshohet se vepronte në bashkëpunim me një 24-vjeçar tjetër shqiptar, i cili është denoncuar dhe po hetohet në gjendje të lirë.

Sipas mediave italiane, policia kishte vënë në vëzhgim 35-vjeçarin, duke zbuluar se ai udhëtonte çdo ditë nga Vairano Patenora drejt një parcele në komunën Caianello, ku qëndronte për orë të tëra. Kur u largua nga zona, karabinierët ndaluan automjetin “Volkswagen Passat” me të cilin ai udhëtonte si pasagjer, ndërsa drejtuesi i mjetit ishte 24-vjeçari shqiptar.

Gjatë kontrollit, policia gjeti në makinë një shumë prej 1710 eurosh cash. Më pas, ata kryen një kontroll në plantacionin e lajthive, ku zbuluan një kavanoz qelqi të fshehur në trungun e një peme, që përmbante 56 doza kokainë me peshë totale 100 gramë.

Pas arrestimit, 35-vjeçari u dërgua në burgun Santa Maria Capua Vetere, ndërsa 24-vjeçari po hetohet në liri për bashkëpunim në aktivitetin kriminal.