Itali/ Gjashtë kilogramë kokainë të fshehur në makinë, arrestohet 31-vjeçari shqiptar. Sekuestrohen mijëra euro
Një 31-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi u kap duke transportuar një sasi të madhe droge në automjetin e tij. Arrestimi u krye nga skuadra e antidrogës në Piza, gjatë një kontrolli të befasishëm trafiku pranë zonës Crespina Lorenzana.
Sipas mediave italiane, i riu shqiptar u përpoq të shmangte postblloqet duke ndjekur rrugë dytësore dhe më pak të frekuentuara. Kjo sjellje e bëri të dyshimtë për policinë, e cila vendosi ta ndalonte. Gjatë verifikimeve, drejtuesi i mjetit u tregua tepër nervoz dhe nuk dha asnjë shpjegim të besueshëm për itinerarin e tij. Po ashtu, oficerët zbuluan në ndarjen e pasagjerëve një distinktiv magnetik pa asnjë shenjë dalluese, për të cilin 31-vjeçari nuk mundi të jepte shpjegime.
Duke u bazuar në përvojën e tyre mbi metodat e fshehjes së lëndëve narkotike, efektivët zbuluan një sensor pa prekje të integruar në panelin e kontrollit të makinës. Pasi aktivizuan mekanizmin përmes kartës magnetike, arritën të hapnin një zgavër të fshehtë brenda plastikës së mjetit, ku u gjetën gjashtë blloqe kokaine me peshë totale rreth 5.9 kilogramë.