Itali/ E reja shqiptare gjendet e pajetë pranë një mbikalimi, bashkëshorti ngre alarmin! Ishte e lidhur në një pemë

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar dhe italian në Montecilfone të Italisë, ku një 27-vjeçare shqiptare është gjetur e pajetë mbrëmjen e së hënës, më 28 prill. Trupi i saj u zbulua pranë mbikalimit të një ure në rrugën që lidh Larinon me Biferninën.

Alarmi u dha nga bashkëshorti i saj, një burrë 51-vjeçar, i cili deklaroi se ishte shqetësuar për mungesën e saj dhe kishte dalë ta kërkonte, me frikën se ajo mund të kishte ndërmarrë një veprim ekstrem. Sipas dëshmisë së tij për policinë, ai e gjeti të renë të lidhur në një pemë me një litar, pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë zjarrfikësit, shërbimet mjekësore dhe karabinierët, të cilët fatkeqësisht nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse të konfirmonin vdekjen e saj.

Prokuroria Publike e Larinos ka hapur një dosje hetimore me dyshimin e “nxitjes për vetëvrasje”, një procedurë që, sipas autoriteteve, synon mbledhjen e çdo elementi të mundshëm për të kuptuar nëse e reja ka qenë viktimë e ndonjë presioni, dhune apo situate të dyshimtë.

Autopsia është urdhëruar dhe pritet të kryhet më 2 maj. Hetimet janë në vijim dhe, sipas deklaratës së kryeprokurores Elvira Antonelli, aktualisht nuk ka asnjë person nën hetim. “Po zhvillohen hetime për të sqaruar rrethanat e këtij episodi tragjik,” tha ajo për mediat.