“Ishte veprim i jashtëzakonshëm”, shefi i NATO-s, Rutte mesazh Trumpit: Në Iran bëre atë që askush tjetër nuk guxoi
Presidenti amerikan Donald Trump ka ndarë një mesazh që pretendon se i është dërguar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë rrugës për në Hagë ku po mbahet samiti i aleancës. Trump postoi mesazhin në rrjetet sociale, ndërsa mbetet e paqartë se në cilin aplikacion komunikimi e ka marrë atë.
Në përmbajtjen e mesazhit, Rutte përgëzon presidentin amerikan për “veprimin vendimtar në Iran” duke e cilësuar si një “veprim vërtet të jashtëzakonshëm” dhe “diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bënte”.
Shefi i NATO-s i shkruan gjithashtu Trumpit se ai është “duke fluturuar drejt një tjetër suksesi të madh në Hagë” dhe se veprimet e tij kanë siguruar “të gjithë për 5 përqindëshin”.
“Nuk ishte e lehtë, por i kemi siguruar të gjithë për 5 përqindëshin! Donald, na ke çuar në një moment vërtet, vërtet të rëndësishëm për Amerikën, Evropën dhe botën. Do të arrish diçka që ASNJË president amerikan nuk mund ta bënte dot në dekada”, thuhet më tej në mesazh.