Ishte tifoz i zjarrtë futbolli, si Papa Françesku “tradhtoi” Mesin për një brazilian

Papa Françesku, përveçse lider shpirtëror i më shumë se një miliard katolikëve në mbarë botën, ishte edhe një tifoz i flaktë i futbollit, me një lidhje të veçantë me klubin argjentinas San Lorenzo de Almagro. I lindur dhe rritur në Buenos Aires, Jorge Mario Bergoglio e trashëgoi pasionin për këtë ekip nga familja e tij, duke treguar shpesh se futbolli kishte një vend të rëndësishëm në identitetin e tij kulturor.

Në gusht të vitit 2014, menjëherë pas triumfit të San Lorenzos në Copa Libertadores, ai shprehu publikisht gëzimin dhe krenarinë për klubin e zemrës së tij. “Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë kampionët e Amerikës, skuadrën e San Lorenzos, të cilët janë pjesë e identitetit tim kulturor. Për mua, San Lorenzo ishte ekipi i familjes. Babai im luante në ekipin e basketbollit. Kur ishim fëmijë, edhe nëna ime erdhi me ne në Gasómetro. Më kujtohet ekipi i vitit 1946; ishte një ekip brilant”, shprehej Papa me emocione.

Ai kishte ruajtur gjithmonë kontakt me skuadrën dhe tifozërinë, madje disa ditë pas zgjedhjes si Papë në vitin 2013, u fotografua pranë Bazilikës së Shën Pjetrit me një fanellë të San Lorenzos, e dhuruar nga klubi. Kjo fotografi, bashkë me fanellën, përfundoi më pas në muzeun e FIFA-s në Zyrih, si e vetmja përfaqësuese e një klubi nga Amerika e Jugut në atë kohë.

Ndër momentet më të veçanta të lidhjes së tij me futbollin ishte organizimi i një ndeshjeje miqësore bamirësie mes San Lorenzos dhe AS Romës në vitin 2016, për të mbledhur fonde pas tërmetit tragjik në Amatrice të Italisë që shkaktoi 292 viktima. Në atë takim u aktivizua edhe legjenda Francesco Totti, ndërsa ndeshja mbajti vulën e një iniciative me ndjeshmëri të thellë sociale dhe shpirtërore.

Edhe pse ishte argjentinas, Papa Françesku nuk e kishte idhull Lionel Mesin. Në një deklaratë që u bë virale pas një takimi të tyre, Papa kishte komentuar me humor: “Të thuash se ai është një zot me top në fushë është një mënyrë popullore për t’u shprehur. Është bukur ta shohësh, por ai nuk është Zot”. Ai vazhdoi duke theksuar se: “Sigurisht që është shumë i mirë, por për mua, nga këta të tre, më i miri është Pele”.

Kjo deklaratë u interpretua nga shumë tifozë si një “tradhti” ndaj Mesit, por për Papa Françeskun, edhe në sport, si në jetë, përulësia dhe perspektiva historike kishin peshë të madhe. Për të, Pele, me ndikimin dhe madhështinë e tij në epokën klasike të futbollit, mbetej legjenda më e madhe e të gjitha kohëve.