Ishte në kërkim për tentativë vrasjeje, arrestohet 47-vjeçari në Shkodër! Si i shkoi në banesë të riut dhe e qëlloi, pas sherrit te vijat e bardha
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin “Time” dhe ka arrestuar Gentian Mithi, 47 vjeç, i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje. Mithi akuzohet se më 11 maj 2024, pas një konflikti të çastit për kalimin në vijat e bardha, ka qëlluar me armë drejt Jaser Osmanit, 24 vjeç, duke e plagosur në këmbë.
Konflikti kishte nisur në qendrën e Shkodrës, në lagjen Parrucë, kur i plagosuri tentoi të kalonte rrugën në vijat e bardha, ndërsa Mithi ishte duke kaluar me automjet. Pas diskutimit, Mithi është larguar, por më vonë është kthyer dhe e ka qëlluar Osmanin afër banesës së tij në lagjen “Salo Halili”.
Në momentin e ndalimit, policia i ka gjetur Mithit një pistoletë me municion luftarak. Ai është arrestuar dhe është vënë në pranga, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e Shkodrës ka vendosur masën e arrestit në burg për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.
I dëmtuari, Jaser Osmani, mori ndihmën e parë dhe u dërgua në spital për trajtim, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.