Ishte në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 40-vjeçari në Tiranë, pritet ekstradimi drejt Italisë

Një 40-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar nga Policia Rrugore në Tiranë. Shtetasi me inicialet E.P. akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Arrestimi i tij u bë në rrugën “Dritan Hoxha” pas një kontrolli rutinë të policisë. Automjeti që ai drejtonte u ndalua nga patrulla, ku gjatë verifikimeve rezultoi se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata e Torinos, Itali, për veprat penale të rënda që ai dyshohet të ketë kryer. Gjatë kontrollit të mjetit, policia sekuestroi edhe një shkop metalik.

Pas ndalimit, specialistët për hetimin e krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kryen arrestimin provizor të 40-vjeçarit me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Interpol Tirana tashmë ka nisur procedurat e nevojshme për transferimin e tij në autoritetet italiane, ku do të përballet me drejtësinë.

Ky operacion është rezultat i masave të intensifikuara nga Policia Rrugore për të garantuar sigurinë rrugore dhe për të kapur personat në kërkim që qarkullojnë me automjete. Arrestimi i shtetasit E.P. përbën një goditje ndaj aktivitetit kriminal të organizuar.