“Ishte e rrezikshme“, dëshmitari përshkruan momentin e zjarrit: Kanë qenë 25-30 punëtorë në fabrikë/ Elbasan, Policia: Shkak, një shkëndijë elektrike
Një biznes plastike është përfshirë nga zjarri pasditen e kësaj të mërkurë duke krijuar panik dhe frikë në Elbasan, në zonën e ish-Metalurgjikut.
Dëshmitarët okularë kanë folur për mediat, duke treguar momentet e para të zjarrit.Njëri prej tyre tha se situata ka qenë e rrezikshme, por fatmirësisht asnjë prej punëtorëve nuk ka marrë lëndime.
“Ishte tej mase e rrezikshme qoftë për punëtorët që ishin Brenda, qoftë dhe me personelin e fabrikës, të cilët janë angazhuar më forcat e veta para se të vinte zjarrfikësja. Ka qenë tej masa e rrezikshme qoftë për punëtorët, qoftë për personelin. Fabrika prodhon arka plastike dhe tuba për kalimin e ujit. Të lënduar nuk ka pasur, as nga punëtorët dhe as nga personeli. Unë punoj në një fabrikë tjetër, dhe në momentin kur kam konstatuar flakët jam paraqitur direkt për ndihmë në mënyrë humane. Janë rreth 25-30 punëtorë”, tha ai.
Policia e Elbasanit ka dhënë detaje në lidhje me zjarrin në ish-kombinatin metalurgjik në qytetin e Elbasanit.Sipas njoftimit, shkak dyshohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike. Sakaq theksohet se nuk ka viktima, por dyshohet për një person të lënduar.
Ngjarja ka ndodhur ë orën 15:00, ndërsa forcat zjarrfikëse ndodhen në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
“Rreth ors 15:00, në ish-kombinatin metalurgjik, në një fabrikë plastike, ka rënë zjarr, dyshohet prej një shkëndije elektrike.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve, nga të cilat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Flakët janë të fuqishme dhe përhapen me shpejtësi, të ndihmuar edhe nga era. Një tym i madh ka mbyluar të gjithë zonën e përreth, ku ka edhe mjaft banesa.
Ndotja nga zjarri që po shkrumbon produktet plastike të fabrikës duket shqetësuese. Lëndët plastike që ndodhen në magazinë dhe po digjen përmbajnë ndotës kimikë të cilët po emetohen nga djegia dhe përbëjnë rrezik për shëndetin e banorëve.
Emirjon Sota, shef i shërbimit zjarrfikës në Elbasan, ka dhënë një deklaratë për mediat në lidhje me zjarrin që ra mesditën e së mërkurës në një fabrikë plastike në ish-kombinatin metalurgjik të qytetit. Ai thotë se zjarri ka rënë në pjesën e jashtme të fabrikës, por me ndërhyrjen e shpejtë, u shua.