“Ishte autoritet i nëpërkëmbur”, Rama bën premtimin e madh për mësuesit: Paga përtej 1 mijë eurove
Kryeministri Edi Rama premtoi se paga mesatare e mësuesve përgjatë mandatit të katërt të tij do të tejkalojë shifrën e 1 mijë eurove.
Këtë e pranoi në ceremoninë e vlerësimit për mësuesit që kanë dhënë kontribut të vyer në arsimin shqiptar me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit. Rama theksoi se autoriteti i mësuesit ishte një autoritet i nëpërkëmbur sa s’ka më keq, për shkak të pasigurisë së plotë të vendit të punës.
“Sot kemi në të trija këto drejtime një situatë të përmbysur për mirë. Të gjithë mësuesit janë plotësisht të lirë të kenë çfarëdolloj opinioni politik që duan. Janë plotësisht të sigurt në vendin e tyre të punës dhe patjetër që janë edhe plotësisht të respektuar për kontributin e përditshëm që japin. Ta ngrejë dorën kush ka menduar se në vitin 2024 paga mesatare do të ishte 950 euro. Fakt shumë domethënës i fuqizimit të vendit tonë ekonomikisht por edhe i vullnetit për të fuqizuar mësuesit dhe buxhetet e tyre familjare. Patjetër që është një pagë shumë dinjitoze por nuk diskutohet që nuk është absolutisht fundi, por është një stacion në një rrugë ku ne përsëri do të rikthehemi tek pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve dhe të gjithë atyre që i shërbejnë kësaj Republike. Ambicia jonë është për ta çuar pagën mesatare të mësuesve përtej 1 mijë eurove”, theksoi Rama.