Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një spital në Itali, ku një çift rrëmbeu një foshnje të porsalindur. Prindërit e vogëlushes, në panik dhe të traumatizuar, përjetuan momente të vështira, por falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë, vajza u gjet shëndoshë e mirë pas tre orësh kërkimesh intensive.
Babai i foshnjës, një 29-vjeçar, u shpreh: “Ishin tre orët më të këqija të jetës sonë. Për fat, çdo gjë përfundoi mirë.” Ai tregoi se gruaja që rrëmbeu vajzën, Rosa Vespa, 51 vjeç, u prezantua si infermiere dhe kërkoi të merrte foshnjën për ta ndërruar, duke mashtruar në këtë mënyrë prindërit dhe gjyshen e vogëlushes.
Sipas hetimeve, rrëmbimi ndodhi rreth orës 18:30 në dhomën ku ndodhej nëna 27-vjeçare, foshnja e saj Sofia dhe gjyshja e vogëlushes. Rosa Vespa, e maskuar me një maskë, pretendoi se ishte infermiere dhe e mori vogëlushen për ta çuar te pediatri. Pas largimit të saj dhe vonesës së kthimit, familja u alarmua dhe njoftoi autoritetet.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë çiftin, Rosa Vespa dhe bashkëshortin e saj, Aqua Moses, 43 vjeç me origjinë senegaleze, duke u larguar me foshnjën në krahë dhe një karrocë fëmijësh. Policia vendosi menjëherë postblloqe në daljet e qytetit dhe pas kërkimeve arriti të lokalizojë makinën e çiftit. Foshnja Sofia u shpëtua e padëmtuar dhe iu rikthye prindërve, ndërsa çifti u arrestua.
Sipas burimeve hetimore, çifti ishte i fiksuar pas idesë së të pasurit një fëmijë dhe kishte falsifikuar një shtatzëni prej 9 muajsh, duke mashtruar të afërmit e tyre. Pas rrëmbimit, ata e veshën Sofian me rroba djali dhe e dërguan në shtëpinë e tyre, e cila ishte dekoruar për festimin e “lindjes së një fëmije.”
Pronari i spitalit, ku ndodhi ngjarja, pranoi se nuk ekzistonin masa të rrepta sigurie për hyrje-daljet. “Fatkeqësisht, ngjarja ndodhi gjatë orarit të vizitave, dhe nuk kërkojmë dokumente identifikimi nga ata që hyjnë,” tha ai. Megjithatë, ai theksoi se kjo situatë do të shërbejë për të rishikuar masat e sigurisë në të ardhmen.
Prindërit e vogëlushes, të cilët janë edhe prindër të një djali 6-vjeçar, falënderuan policinë për reagimin e shpejtë që shpëtoi vajzën e tyre. “Ishim në panik, por tani jemi të qetë që vajza jonë është e sigurt,” tha babai.