“Ishin të maskuar”, Nuredin Dumani zbardh plagosjen e tij: Dyshoj se shofer ishte Talo Çela

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, vijon t’i përgjigjet pyetjeve të avokatit të Altin Ndocit.

Dumani ka treguar detaje nga momenti ku u plagos, ndërsa dyshon se makina drejtohet nga Talo Çela.

PJESE NGA SEANCA GJYQESORE:

Av. Elda Zotaj: A ke bërë deklarime para organeve të Elbasanit, pas momentit të arrestimit?

Dumani: Nuk ju kam kthyer përgjigje të korruptuarve. Ata janë të korruptuar. Kur kam qenë i arrestuar në Fier, më dërguan në spital. Pastaj më çuan tek ushtaraku. Aty erdhën Kreshnik Ajazi, Tonin Vocaj dhe Ardian Cipa. Nuk kam firmosur asgjë para tyre. Nuk më morën në pyetje.

Av. Zotaj: Ku e ke dhënë deklarimin e parë pas arrestimit?

Dumani: Mesa mbaj mend, e kam dhënë tek Spitali i Burgut. Atje kam firmosur pas deklarimeve. Nuk mbaj mend nëse janë regjistruar në audio dhe video.

Av. Zotaj: Ditën e arrestimit, për cilën ngjarje u nis në Elbasan? Cili ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës?

Dumani: Suel Çela.

Av. Zotaj: A të ka kontaktuar Alibej me telefonat e enkriptuar?

Dumani: Më ka çuar letra dore.

Av. Zotaj: A je në dijeni të ndonjë miqësie mes Oti Kilës dhe Hajdar Çopjes?

Dumani: Nuk e di.

Av. Zotaj: Ditën që u plagose, a i dallove personat që të qëlluan?

Dumani: Jo, nuk i kam njohur. Ishin të maskuar. Vetëm nga trupi, shoferi më është dukur si Talo Çela.