“Ishalla ma bënë hallall që ta mora jetën, takohemi në botën tjetër”, 21 vjeçari bën reagimin e trishtë pasi aksidentoi djalin 4-vjeçar të hallës

Ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Dardani të Ferizajt, Kosovë. Një 21-vjeçar dyshohet se ka goditur me makinë aksidentalisht për vdekje një 4-vjeçar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, ka bërë të ditur se fëmija është goditur nga një veturë në fshatin Dardani në oborrin e shtëpisë dhe është konstatuar pa shenja jete nga mjeku kujdestar.

“Me datën 22.06.2025 rreth orës 18:45, nga stacioni policor në Viti jemi njoftuar se në ambulancën e fshatit Pozheran është dërguar një fëmijë rreth moshës 4-vjeç, i cili është konstatuar pa shenja jete nga mjeku kujdestar. Dyshohet se fëmija është goditur nga një veturë në fshatin Dardani, në oborrin e shtëpisë, ndërsa ngasësi ka lidhje familjare me viktimën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dyshohet se drejtuesi i automjetit është djali i dajës së viktimës, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale ka shprehur ngushëllimet, duke i kërkuar falje 4 vjeçarit dhe duke theksuar se ia mori jetën pa dashje.

“Zoti në xhenet vlla, ishalla ma ban hallall që ta mora jetën pa dashje. Ishalla takohmi në botën tjetër. Ki mem mungu gjatë gjithë jetës, të dua shumë, mfal”, shkruan ai teksa ia ka bashkangjitur një foto me 4 vjeçarin.