Ish-sulmuesi i Interit padit Mauro Ikardin dhe Uanda Narën: Kanë shpërndarë videot që shkatërruan familjen time

Ish-sulmuesi i Interit, Keita Balde, ka nisur një proces ligjor kundër Mauro Ikardit dhe ish-bashkëshortes së tij, Uanda Narës, duke i akuzuar se kanë shpërndarë publikisht foto dhe video që lidhen me një periudhë kur ai tradhtoi bashkëshorten e tij, Simona Guatieri.

Pamjet, që pretendohet se janë marrë nga kamerat e sigurisë së shtëpisë së Ikardit, kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe emisionet televizive rozë në Argjentinë. Në to, Keita Balde shihej në shoqërinë e Uanda Narës, duke nxitur spekulime dhe skandale që çuan deri në divorcin e tij me modelen italiane, Simona Guatieri.

Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Keita Balde tha se ka angazhuar avokatët Donatela Minutolo dhe Alessandro Simionato për të ndërmarrë hapa ligjorë:

“Jam detyruar të marr masa për të mbrojtur reputacionin tim, qetësinë e fëmijëve të mi të mitur dhe të Simonës, e cila është përfshirë pa faj në këtë situatë. Shpresoj që spekulimet dhe shfrytëzimi i imazhit tim të marrin fund njëherë e përgjithmonë.”

Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke përfshirë botën e futbollit dhe atë të showbiz-it, teksa çështja ligjore pritet të zbardhë rrethanat e shpërndarjes së këtyre pamjeve dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.