Ish-shefi i FBI-së nën hetim pas postimit të katër numrave, Trump: Thirrje e qartë për vrasjen time!

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, është duke u hetuar nga Shërbimi Sekret pasi ndau dhe më pas fshiu një postim në rrjete sociale, për të cilin republikanët pretendonin se ishte një nxitje për dhunë kundër presidentit amerikan Donald Trump.

Comey postoi në “Instagram” një foto me guaska deti që shkruante numrat “8647”, me mbishkrimin “Forma të lezetshme të guacave gjatë shëtitjes time në plazh”.

Numri 86 është një term zhargon, përkufizimet e të cilit përfshijnë “të refuzosh” ose “të heqësh qafe”, sipas fjalorit Merriam-Webster, i cili gjithashtu vë në dukje se kohët e fundit është përdorur si një term që do të thotë “të vrasësh”, pasi Trump është presidenti i 47-të i SHBA-së.

Comey këmbënguli se nuk e dinte se çfarë nënkuptonin numrat, por Trump e ka kundërshtuar këtë.

“Unë nuk e kuptova që disa njerëz i lidhin ato numra me dhunë. Nuk më ka shkuar kurrë në mendje, por unë kundërshtoj dhunën e çdo lloji, kështu që e hoqa postin.” tha ish-zyrtari i FBI.

Por Trump argumentoi se “edhe një fëmijë e di se çfarë do të thotë”.

“Kjo nënkuptonte vrasje dhe e thotë me zë të lartë dhe qartë”, tha Trump.

Ai u shkarkua nga Trump në mes të një hetimi për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.