Ish-Presidenti u la në burg, avokati: Gjykatën e bindi dikush tjetër! Meta nuk mposhtet kollaj, është nën presion

 

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, ka reaguar pas vendimit të Apelit të GJKKO-së që la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-Presidentin e Republikës. Ai deklaroi se pavarësisht argumenteve të tij ligjore, gjykata është bindur nga “dikush tjetër”.

“Unë nuk binda gjykatën, i fola gjykatës. Gjykatën e ka bindur dikush tjetër,” tha Cakrani në një deklaratë për mediat, duke theksuar se ka dorëzuar mbi 10 vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për të mbrojtur klientin e tij.

Sipas tij, Meta ndodhet në kushte të një persekutimi politik, duke qëndruar tashmë 9 muaj në paraburgim pa një përfundim të hetimeve.

“Është e paprecedentë që një ish-President të mbahet 9 muaj në paraburgim. I janë mohuar edhe të drejtat bazë si telefonatat me kolegët, Kryesinë dhe familjen,” shtoi avokati.

Ai konfirmoi se Meta është nën një presion të vazhdueshëm nga ana administrative, duke iu referuar një vendimi të Komisionit të Disiplinës në burgun 313, që i ka ndaluar pjesëmarrjen në disa aktivitete.

“Po tentohet ta izolojnë, por Meta do të përballet me të gjithë. Ai nuk mposhtet kollaj. E kanë gabim nëse mendojnë se mund ta thyejnë me represion apo intimidim,” përfundoi Cakrani.