Ish-presidenti Ilir Meta kërkon lirimin nga burgu, avokati i tij: Do t’i drejtohemi Strasburgut nëse është e nevojshme

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kërkuar nga Gjykata e Lartë lirimin nga burgu përmes një rekursi të depozituar nga avokati i tij, Genci Gjokutaj. Meta është në paraburgim pas një vendimi të datës 19 nëntor 2024, që konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. Avokati i Metës, Genci Gjokutaj, shpjegoi se ish-presidenti ka dhënë shpjegime të hollësishme dhe ka zgjedhur të përballet me hetimet dhe akuzat, duke u shprehur i gatshëm të paraqitet dhe të japë shpjegime kurdo që kërkohet nga SPAK.

Gjokutaj theksoi se Meta ka qenë i hapur për bashkëpunim dhe se nuk ka pasur qëllim të shmangë hetimet, duke shtuar se arrestimi i tij erdhi pas 6 vitesh hetimesh dhe se ligjërisht ai nuk duhet të qëndrojë në burg. Avokati gjithashtu kritikoi Gjykatën e Lartë, duke e akuzuar për mungesë integriteti dhe nënvizoi se do të vazhdojnë të luftojnë për lirimin e Metës, duke paralajmëruar se mund të drejtohen në Strasburg nëse është e nevojshme.

Meta, i cili po hetohet nga SPAK për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, vijon të qëndrojë në paraburgim.