“Ish-pjesëtar i klanit Duka, Elvis Gaçaj, arrestohet me armë në dorë! Pjesë e disa ngjarjeve kriminale, dyshohet për vrasje
Policia ka arrestuar Elvis Gaçajn, një person i konsideruar i rrezikshëm dhe pjesëtar i klanit Duka, i cili qarkullonte i armatosur dhe ka një historik të pasur me vepra kriminale. Gaçaj është i dënuar më parë për armëmbajtje, lëndë narkotike dhe vjedhje me dhunë. Bashkë me të, është arrestuar edhe Marsel Dobi për moskallëzim krimi.
Elvis Gaçaj ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale, përfshirë dyshimin për vrasjen e Santiago Malkos, për të cilën ai u arrestua më parë në vitin 2019 në Durrës. Në vitin 2018, ai u arrestua gjithashtu për një ngjarje tjetër, ku në një apartament në afërsi të shkollës “Partizani” u gjet një armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Emri i Gaçajt është përmendur edhe në atentatin e 1 tetorit 2015, kur ai shpëtoi nga një masakër ku dy persona që udhëtonin në makinën me të u vranë. Sipas hetimeve, ai akuzohet gjithashtu për lidhjet me parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, ku dyshohet se ishte ai që i dispononte dhe financonte.
Operacioni i arrestimit u realizua nga forcat e policisë të cilat kanë qenë në kërkim të Gaçajt për një periudhë të gjatë, duke u angazhuar në parandalimin dhe luftimin e aktivitetit kriminal të tij.