Ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, kërkon lirinë e parakohshme në Gjykatën e Fierit

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, kërkon lirinë e parakohshme në Gjykatën e Fierit. Sot  po zhvillohet seanca e tretë radhazi, pasi dy të parat dështuan për arsye të ndryshme. Gjykata po dëgjon argumentet dhe provat e palës mbrojtëse, si dhe relacionin e Prokurorisë.

Mësohet se tre seancat e mëparshme kanë dështuar për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm. Beleri përfaqësohet nga avokati Geni Gjyzari, gjyqtari i çështjes është Alfred Konomi, i cili do të shqyrtojë provat dhe argumentet e paraqitura nga të dyja palët.

Prokurori i çështjes është Oljana Gjergjefi, e cila do të përfaqësojë akuzën. Kjo seancë pritet të jetë vendimtare për fatin e Belerit. Ndryshe nga herët e tjera, sot ka një interes më të madh nga mediat greke. Janë disa gazetarë dhe përfaqësues të medias së vendit fqinj, që ndodhen para Gjykatës dhe presin zhvillimet e seancës.

Beleri u arrestua më 12 Maj 2023 dhe është dënuar me 2 vite burgim me formë të prerë për korrupsion zgjedhor, në zgjedhjet e 14 Majit 2023 në Himarë, teksa sipas dy shkallëve të GJKKO u provua se pagoi 400 euro për 8 vota.

Aktualisht, duke llogaritur edhe afatet e paraburgimit, Belerit i kanë mbetur edhe pak javë nga mbarimi i dënimit, teksa ai kërkon lirim të parakohshëm për pjesën e mbetur. Beleri është zgjedhur edhe eurodeputet për Greqinë, teksa humbi mandatin si kryebashkiak i Himarës, ku në zgjedhjet e parakohshme të 4 Gushtit u zgjodh socialisti Vangjel Tavo.