Ish i dashuri e m*sakroi dhe fshehu trupin në valixhe, përcillet për në banesën e fundit 22-vjeçarja shqiptare Ilaria Sula
Shqiptarja 22-vjeçare, Ilaria Sula, e cila u vra në mënyrë makabre nga ish i dashuri i saj filipinas, Mark Simson, do të përcillet sot për në banesën e fundit në qytetin italian të Ternit.
Lajmin e trishtë e ka dhënë babai i saj, Flamur Sula, përmes një njoftimi publik:
“Të dashur miq dhe të afërm, ju informoj me keqardhje të skajshme se varrimi i të dashurës sonë Ilaria do të bëhet të hënën më 7 prill në orën 14:00. Kortezhi do të niset në këmbë nga shtëpia në Viale dello Stadio, 5 dhe do të shoqërojë trupin deri në varrezat e bashkisë. Faleminderit atyre që duan të marrin pjesë.”
Ilaria u zhduk më 25 mars dhe pas ditësh kërkimi, trupi i saj i pajetë u gjet më 3 prill brenda një valixheje në zonën e Polit, ku ishte hedhur nga një shkëmb. Autori i dyshuar, Mark Simson, thuhet se e ka goditur tre herë me thikë në qafë, në rrethana ende të paqarta, më pas e mbështolli me qese mbeturinash dhe e futi në valixhe.
Autoritetet italiane kanë nisur hetime të thelluara edhe ndaj prindërve të Simson, të cilët dyshohet se ndodheshin në banesë në momentin e krimit.
“Ka shumë elementë për t’u vlerësuar,” deklaroi avokati i familjes Sula, Giuseppe Sforza. “Familja kërkon drejtësi dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, nga momenti i zhdukjes deri tek gjetja e trupit të Ilarisë.”