Ish-drejtori i Bashkisë së Tiranës, Enton Punavija, është paraqitur sërish në ambientet e SPAK, ku ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” si i akuzuar në dosjen 5D. SPAK mbylli hetimet më 24 Dhjetor dhe e dërgoi dosjen për gjykim në GJKKO.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Punavija, në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka favorizuar shoqërinë “5D Konstruksion” duke shkelur rregullat e prokurimit publik në tre procedura tenderimi. Ai akuzohet për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, të kryera në bashkëpunim.
Përveç Punavijës, janë dërguar për gjykim edhe disa persona të tjerë, përfshirë Redi Mollën, Mariglen Qaton dhe Taulant Tushën, si dhe shoqëria “5D Konstruksion”. Gjykata ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe të tjera me vlerë totale prej rreth 334 milionë lekësh. Akuza përfshin korrupsionin, shkeljen e barazisë në tendera dhe pastrimin e parave.