Ish-banori i BBV, Armaldo Kllogjeri, fiton gjyqin me Teatrin e Operës dhe Baletit: Mezi pres të rikthehem në skenë pas 20 vitesh karrierë
Maestro dhe tenori i njohur, Armaldo Kllogjeri, ka fituar betejën ligjore kundër Teatrit të Operës dhe Baletit (TOB), pas pushimit të tij nga puna, të cilin e cilësonte të padrejtë.
Në një videomesazh emocionues, ish-banori i Big Brother VIP shprehu gëzimin për vendimin e gjykatës, duke theksuar se tashmë mezi pret të rikthehet në skenën e TOB dhe të performojë për publikun që e ka mbështetur gjithmonë.
“Prej disa muajsh, kam hedhur në gjyq Teatrin e Operës dhe Baletit, sepse besoj fort në drejtësi. E kam thënë që për bukën e fëmijëve të mi do të shkoj deri në fund. Sot kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin se e fitova këtë çështje,” tha Kllogjeri.
Tenori akuzoi ish-drejtoreshën e TOB për shkelje ligjore në vendimin për largimin e tij nga puna, vetëm një muaj para hyrjes në Big Brother VIP, duke e cilësuar këtë veprim si të padrejtë dhe të papranueshëm.
“Tashmë lufta vazhdon për t’u rikthyer në Teatrin e Operës dhe Baletit, për të prekur skenën dhe për të kënduar për publikun tim të dashur,” theksoi ai, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë periudhë të vështirë.
Kllogjeri, një artist me mbi 20 vite karrierë në TOB, është vlerësuar si një nga tenorët më të spikatur në skenën shqiptare, ndërsa tani pret të rinisë një kapitull të ri pas kësaj fitoreje ligjore.