Isa Rexhepaj prej një jave i vdekur, familjarët pretendojnë se nuk u lejohet ta varrosin/ Reagon Prokuroria e Sarandës
Familjarët e Isa Rexhepajt, i cili u gjet i pajetë rreth një javë më parë në Sarandë, kanë ngritur pretendime se nuk po lejohen të marrin trupin për ceremoninë mortore. Ndërkohë, Prokuroria e Sarandës ka reaguar me një deklaratë zyrtare për të sqaruar situatën.
Sipas njoftimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, më datë 18 korrik 2025, shërbimet e Policisë së Komisariatit Sarandë janë njoftuar për një trup të pajetë të gjetur në një depo të vjetër në lagjen nr. 4 të qytetit, në vendin e quajtur Limjon.
“Nga ana e policisë gjyqësore u kryen veprimet hetimore si: kqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i sendeve që ndihmojnë në zbardhjen e çështjes, marrja e deklarimeve të shtetasve që kanë dijeni për rrethanat, si dhe u urdhëruan ekspertimet e nevojshme, përfshirë edhe atë mjeko-ligjor për përcaktimin e shkakut të vdekjes,” – thuhet në njoftim.
Po sipas Prokurorisë, kufoma e shtetasit Isa Rexhepaj është dorëzuar fillimisht në morgun e spitalit Sarandë dhe më pas është transportuar në të njëjtën ditë drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për të kryer autopsinë.
“Veprimet e para hetimore janë ndjekur nga prokurori i gatshëm dhe kufoma është transportuar më 18 korrik pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë,” sqarojnë autoritetet.