Irani sërish qendër e sulmit izraelit, shkatërrohen baza ushtarake

Izraeli goditi Iranin me një sërë sulmesh ajrore të shtunën herët, duke thënë se kishte në shënjestër objektivat ushtarakë, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit me raketa balistike që Republika Islamike kreu ndaj Izraelit në 1 tetor.

Izraeli kreu një valë të dytë sulmesh ndaj Iranit. Më herët, media shtetërore iraniane raportoi disa shpërthime në Teheran.

Irani tha se Izraeli sulmoi objektet ushtarake në të gjithë vendin të shtunën në mëngjes, duke shkaktuar “dëm të kufizuar” në disa zona.

Izraeli “sulmoi pjesë të qendrave ushtarake në provincat e Teheranit, Khuzestanit dhe Ilamit”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, duke shtuar se “sulmi u kap dhe u kundërpërgjigj me sukses” nga “sistemi i integruar i mbrojtjes ajrore” të Iranit.