Irani paralajmëron hakmarrje të ashpër pas sulmeve amerikane, shmang përfshirjen direkte të Trump në konflikt
Pas bombardimeve amerikane mbi objektet bërthamore të Iranit të dielën, më 22 qershor, udhëheqja iraniane është vendosur përpara një vendimi të vështirë: si të përgjigjet ndaj kësaj goditjeje pa përfshirë më tej forcat amerikane në rajon dhe pa ndezur një konflikt të hapur.
Burime të afërta me Teheranin kanë bërë të ditur se mesazhet drejtuar Shteteve të Bashkuara, veçanërisht ndaj Donald Trump, kanë qenë të qarta, Irani nuk kërkon përshkallëzim direkt me ish-presidentin, por nuk do të hezitojë të reagojë ndaj çdo veprimi të mëtejshëm agresiv.
Zyrtarët iranianë kanë bërë të ditur se anijet dhe bazat ushtarake amerikane në rajon janë tashmë në shënjestër të forcave të tyre, ndërkohë që Teherani po shqyrton opsionet e përgjigjes ushtarake.
Sidoqoftë, këto opsione janë të kufizuara për shkak të dëmeve të mëdha të shkaktuara nga sulmet e fundit izraelite, të cilat kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve raketore me rreze të gjatë veprimi.
Sipas një raportimi të gazetës The Guardian, pavarësisht humbjeve, Irani vazhdon të disponojë një arsenal të konsiderueshëm të raketave dhe dronëve me rreze të shkurtër veprimi, që mund të përdoren në një përgjigje të shpejtë dhe të kufizuar.
Situata mbetet e tensionuar, me aktorët ndërkombëtarë që u bëjnë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje dhe diplomaci për të shmangur një përshkallëzim të rrezikshëm në rajon.