Irani ka thyer rekordin e tij për ekzekutimin e më shumë grave në një vit, sipas të dhënave të reja. Kombet e Bashkuara njoftuan se 31 gra u varën nëpër burgje në vitin 2024 – numri më i lartë vjetor që nga fillimi i regjistrimeve 17 vjet më parë.
Por, duke marrë parasysh ekzekutimet sekrete, numri real është shumë më i lartë, paralajmëruan aktivistët.
Pas këtij statistiku qëndrojnë gra që janë bërë viktima të “apartheidit gjinor” të Iranit. Disa prej këtyre grave u dënuan për vrasjen e bashkëshortëve të tyre pas dhunës në familje ose për shkak se ishin detyruar të martoheshin në moshë shumë të re.
Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i Iran Human Rights, tha: “Ekzekutimi i grave jo vetëm që tregon natyrën barbare dhe çnjerëzore të dënimit me vdekje, por gjithashtu ekspozon diskriminimin dhe pabarazinë e thellë gjinore brenda sistemit gjyqësor.”
Një raport i organizatës tha se të paktën 241 gra janë ekzekutuar midis viteve 2010 dhe 2024, gjysma e të cilave janë identifikuar vetëm me inicialet e tyre ose kanë mbetur plotësisht anonime. Sipas raportit, 114 gra u ekzekutuan për vrasje, ndërsa 107 për akuza të lidhura me drogën.
Nëntë gra të ekzekutuara që nga viti 2008 ishin nusë të fëmijëve, prej të cilave tri ishin gjithashtu kryerëse të krimeve kur ishin nën 18 vjeç.
“Një numër i panjohur i grave qëndrojnë në bllokun e vdekjes, jetët e tyre janë në rrezik, mes tyre janë aktivistet kurde Varisheh Moradi dhe Pakhshan Azizi,” shtoi raporti.
“Që nga viti 1979, Republika Islamike e Iranit ka përdorur ekzekutimet si një mjet të shtypjes politike për të ngjallur frikë dhe për të mbajtur pushtetin, me mijëra gra dhe burra të ekzekutuar pas proceseve gjyqësore të rreme.”
“Ndërkohë që shumica e të ekzekutuarve kanë qenë burra, historitë e grave dhe dimensionet gjinore të dënimit me vdekje në këtë vend kanë mbetur kryesisht të fshehura.”
31 nga këto gra ishin pjesë e gjithsej 901 të burgosurve që u varën gjatë vitit 2024. Kjo është krahasuar me 853 të ekzekutuar në vitin 2023, sipas zyres së të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Ky ishte numri më i lartë që nga viti 2015, kur 972 njerëz u ekzekutuan.
Mes viktimave në vitin 2024 ishte Mohammad Ghobadlou, një berber me aftësi të kufizuara mendore, i cili u arrestua në vitin 2023 gjatë protestave “Grua, Jeta, Liria”.
“Është shumë shqetësuese që përsëri shohim një rritje të numrit të njerëzve që u nënshtrohen dënimit me vdekje në Iran vit pas viti,” tha Volker Turk, shef i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.
“Është koha që Irani të ndalë këtë rritje të pafrenueshme të ekzekutimeve.”