Irani dhe Izraeli vazhdojnë sulmet, pasi Teherani refuzoi bisedimet bërthamore gjatë konfliktit
Irani dhe Izraeli vazhduan të shkëmbejnë sulme më 21 qershor, duke shkaktuar lëshimin e sirenave për sulme ajrore në disa zona të Izraelit qendror, përfshirë Tel Avivin. Kjo ndodhi pasi Teherani njoftoi se nuk do të negociojë për programin e tij bërthamor derisa Izraeli të ndalë sulmet.
Një breshëri raketash të lëshuara nga Irani goditën Izraelin rreth orës 02:30, por sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore penguan raketat mbi qiellin e Tel Avivit. Shërbimi i emergjencës publikoi pamje që tregonin një zjarr në çatinë e një ndërtese shumëkatëshe në Izraelin qendror, zjarr që u shkaktua nga copëza të raketave të goditura nga mbrojtja ajrore, sipas mediave lokale.
Ushtria izraelite njoftoi nisjen e një vale të re sulmesh kundër depove të raketave dhe infrastrukturës së lëshimit të tyre në Iran. Sipas Izraelit, janë goditur dhjetëra caqe ushtarake, përfshirë vende për prodhimin e raketave, një institut kërkimor të përfshirë në zhvillimin e armëve bërthamore në Teheran, si dhe objekte ushtarake në zonat perëndimore dhe qendrore të Iranit.
Sulmet reciproke u kryen pas bisedimeve disaorëshe mes ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, dhe ministrave evropianë të Jashtëm në Gjenevë. Takimi përfundoi vetëm me një deklaratë që shprehte “shqetësime të thella” për përshkallëzimin e tensioneve dhe gatishmërinë për takime të mëtejshme.
Ministrat evropianë përsëritën shqetësimet e tyre të thella për zgjerimin e programit bërthamor iranian, i cili sipas tyre “nuk ka ndonjë qëllim civil të besueshëm”. Irani, nga ana tjetër, insiston se programi i tij është vetëm për qëllime paqësore.
Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit më 13 qershor, duke paralajmëruar se Teherani ishte në prag të zhvillimit të armëve bërthamore. Ministri i Jashtëm izraelit deklaroi më 21 qershor se këto sulme kanë vonuar mundësinë e Teheranit për të zhvilluar një armë bërthamore për “të paktën dy ose tre vjet”.
Gideon Saar, ministri i Jashtëm i Izraelit, tha për gazetën gjermane Bild se ofensiva e Izraelit ka sjellë rezultate “shumë domethënëse” dhe se tashmë kanë vonuar për disa vite zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani.
Megjithatë, kjo ofensivë ka pasur edhe kosto në njerëz. Sipas Agjencisë së Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA, sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 639 persona në Iran, përfshirë oficerë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë. Ndërkaq, autoritetet izraelite raportojnë se 24 civilë janë vrarë nga sulmet hakmarrëse iraniane me raketa dhe dronë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, më 20 qershor, tha se do t’i duhet deri në dy javë për të vendosur nëse SHBA-ja do të përfshihet në konflikt në anën e Izraelit. Ai shtoi se kjo kohë është e mjaftueshme “për të parë nëse njerëzit do të reflektojnë”.
Udhëheqësi amerikan tha se ka pak gjasa që ai të ushtrojë presion mbi Izraelin që të ndalë sulmet ajrore, për t’i dhënë hapësirë negociatave që të vazhdojnë.
“Mendoj se është shumë e vështirë të bësh një kërkesë të tillë tani. Nëse dikush po fiton, është pak më e vështirë sesa kur dikush po humb, por ne jemi të gatshëm, kemi vullnet dhe jemi të aftë, dhe kemi qenë duke folur me Iranin, dhe do të shohim çfarë ndodh”, tha atij.
“Irani nuk dëshiron të flasë me Evropën”, shtoi Trump. “Ata duan të flasin me ne. Evropa nuk do të mund të ndihmojë në këtë rast”.
Ndërkaq, Araqchi deklaroi se nuk ka hapësirë për negociata me SHBA-në “derisa të ndalen sulmet izraelite”.
Në një intervistë për rrjetin amerikan NBC, ai tha se i takon Shteteve të Bashkuara “të tregojnë vendosmëri për të shkuar drejt një zgjidhjeje të negociuar”.
Kur i pyet nëse Irani do të hakmerrej nda caqeve dhe forcave amerikane në rajon apo diku tjetër, në rast se SHBA-ja do t’i bashkohej forcave izraelite, Araqchi tha se një veprim i tillë do të ishte një akt legjitim vetëmbrojtjeje.
“Kur ka luftë, të dyja palët sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është krejtësisht e kuptueshme. Dhe vetëmbrojtja është një e drejtë legjitime e çdo shteti”, deklaroi ai për NBC.
Në Nju Jork, ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, i tha Këshillit të Sigurimit më 20 qershor se shteti i tij nuk do t’i ndalë sulmet “derisa kërcënimi bërthamor i Iranit të eliminohet”.
Ambasadori iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të veprojë, duke shtuar se Teherani është i alarmuar nga raportimet se SHBA-ja mund t’i bashkohet luftës.
Një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë Reuters se Irani është i gatshëm të diskutojë për kufizime sa i përket pasurimit të uraniumit, por do të refuzojë çdo propozim që ia ndalon plotësisht të drejtën Teheranit për pasurim të uraniumit, “veçmas tani, që gjendet nën sulmet e Izraelit”./REL