Intervista me median spanjolle, Rama flet për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë: Nuk kemi oreks për paratë ruse, ja raportet me Kinën

Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për gazetën spanjolle “La Razón” mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Rusinë dhe Kinën. Ai theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që pas rënies së regjimit komunist nuk ka bërë asnjë vizitë të nivelit të lartë në Moskë dhe nuk ka pasur asnjë mysafir nga Rusia.

Rama theksoi se Shqipëria nuk ka oreks për paratë ruse dhe qëndron e fokusuar vetëm në letërsinë, muzikën dhe kulturën ruse, duke i vlerësuar ato si të mrekullueshme.

Sa i përket marrëdhënieve me Kinën, Rama deklaroi se Shqipëria ka investime kineze minimale, vetëm 0,1%, dhe se lidhjet ekonomike janë të parëndësishme për vendin.

Ai shpjegoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pasur një histori të vështirë, duke përmendur ndikimin e Revolucionit Kulturor kinez në Shqipëri. Megjithatë, Rama shprehu respekt për Kinën, duke e konsideruar atë ndryshe nga Rusinë.