Interpoli godet trafikun ndërkombëtar të qenieve njerëzore: 158 të arrestuar në 43 vende, mbi 1,100 viktima të identifikuara

Një operacion i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Interpoli, në bashkëpunim me Europolin dhe Frontex-in, ka çmontuar një rrjet global trafikimi të qenieve njerëzore, duke rezultuar në 158 arrestime në 43 shtete dhe identifikimin e 1,194 viktimave të mundshme.

Operacioni u zhvillua nga 1 deri më 6 qershor, nën drejtimin e autoriteteve austriake dhe rumune, dhe u përqendrua tek rastet e shfrytëzimit seksual, kriminalitetit të detyruar dhe lypjes së detyruar. Viktimat vinin nga 64 shtete, përfshirë Rumaninë, Ukrainën, Kolumbinë dhe Kinën, dhe shumë prej tyre ishin transportuar përtej kufijve kombëtarë apo edhe kontinentalë.

“Rreth 15,000 agjentë policorë” morën pjesë në këtë aksion masiv, deklaroi Interpoli. Sipas raportit, shumica e viktimave të shfrytëzimit seksual ishin gra, ndërsa fëmijët shpesh detyroheshin të lypshin ose të përfshiheshin në vjedhje dhe krime të tjera.

Shembuj nga operacioni:

-Në Brazil, u shkatërrua një rrjet që rekrutonte viktima me premtime të rreme pune, duke i transportuar më pas drejt Mianmarit për shfrytëzim seksual.

-Në Itali, gjatë bastisjeve në sallone masazhi, u identifikuan 75 viktima të mundshme nga Rumania, Kina dhe Kolumbia; u sekuestruan gjithashtu armë zjarri dhe drogë.

-Në Tajlandë, policia çmontoi një rrjet prostitucioni me fëmijë, që përdorte një platformë të njohur të mediave sociale për rekrutime.