Interi rikthehet në krye të Seria A, Asllani asiston në golin e fitores

Interi është rikthyer me të njëjtin ritëm në Serinë A duke marrë 3 pikët e radhës, pas rrugëtimit në Superkupën e Italisë. Zikaltrit mposhtën minimalisht Fiorentinën, një kundërshtar që ju hapi jo pak probleme, por kualitetet bëjnë diferencën. Përballja e zhvilluar në Artemio Franki ishte e luftuar nga të dyja skuadrat, me vendësit të cilët e nisën mirë përballjen.

Simone Inzaghi për shkak të disa mungesave ishte i detyruar të vinte me ndryshime, ku njëri prej tyre ishte dhe Kristjan Asllani që asistoi në golin e vetëm të ndeshjes. Mesfushori shqiptar ekzekutoi një goditje këndi, ku krosoi për argjentinasin Lautaro Martinez, me këtë të fundit që dërgoi topin në rrjetë në minutën e 14. Në vijim tentativat nuk so të mungonin, me Fiorentinën që shansin më të mirë e humbi në fraksionin e dytë, ku në minutën e 76′ Nico Gonzalez shpërdoroi një 11 metërsh, duke iu dhënë kështu mundësinë zikaltërve të dalin me 3 pikë, të cilat i rikthejnë në krye.

Përballja tjetër interesante e kësaj jave ishte ajo mes Lazios dhe Napolit e cila nuk pati fitues. Në Olimpiko asnjëra prej skuadrave nuk munei të shënojë, duke ndarë pikët e mos ndryshuar pozicionet në klasifikim.Në përballjet e tjera, Monza mundi Sassuolon, Genoa Leçen dhe Verona barazoi me Frosinonen.