Interi mposht 1-0 Romën, Cagliari përmbys Frosinonen 4-3! Luhet Napoli – Milan
Serie A e futbollit luan edhe këtë të dielë katër ndeshjet e radhës për raundin e 10-të. Me fillim nga 12:30 nisi gjithçka në Sardegna, me vendasit e Cagliarit që morën një fitore të “çmendur” 4-3 me përmbysje kundër Frosinones. Në Milano, Interi fitoi 1-0 me Romën falë golit të Thuram. Në 20:45 luhet Napoli – Milan.
Në stadiumin “Unipol Domus” në Sardegna, Cagliari vendas fitoi 4-3 me Frosinonen, duke marrë tri pikët e para këtë sezon. Skuadra e Claudio Ranierit bëri një përmbysje të “çmendur” nga 0-3 në 4-3. Te Frosinone në fushë për 56 minuta ishte edhe Marvin Çuni, sulmuesi i Kombëtares që pasi doli nga loja i la të tijtë në avantazhin e tre golave, ndërsa pa një humbje që nuk i besoi syve. Frosinone shënoi tre herë në minutat 23 dhe 37 me Soule dhe 49 me Brescianon. “Valsi” i Cagliarit mori jetë në minutën e 72, kur Oristanio shënoi golin e parë. Më pas ishte Makoumbou që dërgoi shifrat në 2-3, para se veterani Leonardo Pavoletti të shënonte dopietë për përmbysjen e madhe në minutat 90+4 dhe 90+6. Me këtë sukses Cagliari lë në vend të fundit Salernitanën dhe ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve për vendin e 19-të. Frosinone me 12 pikë mban vendin e 12-të.