Intensifikohet gara hapësinore, SHBA-ja i kërkon NASA-s të krijojë një standard kohor për Hënën
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ka udhëzuar Administratën Kombëtare amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) për të krijuar një standard kohor për Hënën dhe trupat e tjerë qiellorë, përderisa qeveritë dhe kompanitë private po intensifikojnë garën hapësinore.
Me Shtetet e Bashkuara që po synon të vendosë norma ndërkombëtare përtej orbitës së Tokës, Zyra për Politika Shkencore dhe Teknologji e Shtëpisë së Bardhë (OSTP) ka udhëzuar NASA-n që të formulojë një plan deri në fund të vitit 2026 për standardin e quajtur Koha e Koordinuar Hënore.
“Përderisa NASA, kompanitë private dhe agjencitë e tjera hapësinore në mbarë botën po nisin misione për në Hënë, Mars dhe përtej, është e rëndësishme që të krijohet standarde kohore qiellore për siguri dhe saktësi”, tha zëvendësdrejtori i OSTP-së, Steve Welby, përmes një deklarate.
“Një definicion i qëndrueshëm i kohës në mesin e operatorëve në hapësirë është thelbësor për aftësitë e suksesshme lidhur me ndërgjegjësimin për situatën në hapësirë, navigimin dhe komunikimin”, tha Welby.
Qëllimi, tha Shtëpia e Bardhë, për Kohën e Koordinuar Hënore apo LTC, është që ajo të lidhet me Kohën e Koordinuar Universale (UTC), që aktualisht është standardi kryesor i kohës që përdoret në mbarë botën për të rregulluar kohën në Tokë.
Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar NASA-s që të punojë me departamentet e Tregtisë, Mbrojtjes, Transportit dhe Departamentin amerikan të Shtetit për të krijuar një strategji për krijimin e një standardi të kohës, që do të përmirësonte navigimin dhe operacionet e tjera për misionet veçmas në një zonë hapësinore midis Tokës dhe Hënës.
SHBA-ja po synon që të kthehet në Hënë më 2026, pasi më 1972 misioni Apollo 17 bëri zbarkimin e parë të njerëzve në këtë planet.