Inskenoi vdekjen në Pukë, Davide Pecorelli pritet të ekstradohet në Shqipëri: Po trajtohem si qytetar i dorës së dytë
Biznesmeni italian Davide Pecorelli, i cili inskenoi vdekjen e tij në Pukë për t’i shpëtuar kreditorëve, pritet të ekstradohet në Shqipëri brenda ditësh për të vuajtur dënimin prej 4 vitesh burg. Ai është dënuar për mashtrim, përdhosje varresh dhe pengim të drejtësisë.
Pecorelli ka deklaruar se shqetësimi i tij më i madh është familja. “Nuk kam frikë. Jam i shqetësuar për familjen time, fëmijët e mi, babain dhe vëllain tim me aftësi të kufizuara,” tha ai për mediat italiane.
Ai pretendon se ndaj tij po bëhet një padrejtësi dhe se po trajtohet si një qytetar i dorës së dytë. “Ky është një vendim i vështirë për t’u pranuar dhe më bën të mendoj për një plan përndjekjeje. Nuk kam mohuar asnjëherë krimet në Shqipëri dhe kam kompensuar dëmet përtej vlerës së tyre, si në rastin e makinës që i kisha vënë flakën. Nuk kam precedentë penalë dhe jam ish-oficer ushtrie, një sipërmarrës që u kam dhënë punë qindra njerëzve,” shtoi ai.
Pecorelli ka bërë të ditur se ka nisur procesin për marrjen e shtetësisë shqiptare, pasi është i martuar me një grua shqiptare dhe djali i tij ka po ashtu këtë shtetësi. Ai ka shprehur dëshirën për të hequr dorë nga shtetësia italiane, duke u shprehur se ndihet i tradhtuar nga vendi i tij.
Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi në janar 2021, kur makina me qira që ai përdorte u gjet e djegur në Pukë, me mbetje kockash brenda, duke bërë që të mendohej se ai kishte humbur jetën. Më vonë, ai u gjet i gjallë pranë ishullit Montecristo në Itali.