Inskenoi vdekjen e tij në Pukë, ekstradohet Italiani Davide Pecorelli

Është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë shtetasi Davide Pecorelli, i cili u mor në dorëzim në Rinas nga Forcat Operacionale të DPB-së dhe dërgohet në Institucionet e Ekzekutimeve të Veprave Penale.

Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, ndaj tij është caktuar masa “arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Davide Pecorelli mbërriti në Shqipëri më 3 janar të 2021. Fillimisht shkoi në Vlorë, më pas në Shkodër e në Pukë, ku qëndroi për dy netë. Gjurmët e tij u zhdukën në mesnatën e 6 janarit, ndërsa makina ku ai udhëtonte u gjet e djegur e brenda saj mbetje kockore, që kurrë nuk u vërtetuan që ishin të tijat. Për 8 muaj ai humbi kontaktet, por do të zbulohej pas një incidenti me varkë në ishullin e Montecristos, ku rrezikoi mbytjen.