Këshilli i Ministrave ka miratuar emërimin e drejtorit të ri në Drejtorinë e Përgjithshme të Antikorrupsionit.
Me vendim të qeverisë, Insidor Rexhepi është emëruar drejtor i Përgjithshëm i këtij institucioni.
Këshilli i Ministrave ka ngarkuar Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Antikorrupsionit, për zbatimin e këtij vendimi.
Insidor Rexhepi në vitet 2009-2012 ka ushtruar funksionin e inspektorit në sektorë të ndryshëm të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Tiranë. Në vitet 2012-2017 ka punuar si inspektor hetimi në Drejtorinë e Hetimit Tatimor. Ndërsa së fundmi ka punuar si këshilltar ligjor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Rexhepi ka ndjekur trajnime dhe specializime të vazhdueshme, si dhe është njohës i mirë i legjislacionit të fushës hetimore tatimore, hetimeve penale për krimet në fushën ekonomiko-financiare, pas një eksperience disavjeçare bashkëpunimi me Prokurorinë, si me referimin, hetimin dhe dërgimin e shumë çështjeve për gjykim.