Injoroi barrierat dhe sinjalin, shoferi përplaset me trenin në Patra! Bllokohet brenda, por…

Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur mesditën e së enjtes në qytetin Patra të Greqisë, ku një automjet është përplasur me një tren të linjës Proastiakos, në një kryqëzim të mbrojtur me barriera në zonën e rrugës Antheas.

Sipas raportimeve të mediave greke, drejtuesi i mjetit, një burrë rreth 55 vjeç, ka injoruar sinjalet e ndalimit dhe barrierat e ulura, duke hyrë në shina në momentin kur treni po kalonte. Pamjet e aksidentit janë kapur nga një kamerë sigurie, ku duket qartë se barrierat ishin të mbyllura për disa minuta para përplasjes, por shoferi vazhdon lëvizjen me shpejtësi, thyen barrierën dhe përplaset direkt me trenin.

Si pasojë e përplasjes, automjeti u shkatërrua pjesërisht, ndërsa 55-vjeçari mbeti i bllokuar brenda mjetit. Megjithatë, ai ishte në gjendje të vetëdijshme dhe në komunikim me zjarrfikësit gjatë gjithë operacionit të shpëtimit.