Infektimi me salmonelë në Gramsh, kryebashkiaku Ajazi mohon helmimin masiv: Ushqimi gatuhet në kopsht, jo nga katering

Pas konfirmimit nga Instituti i Shëndetit Publik se 17 fëmijë në kopshtin nr. 1 në Gramsh janë infektuar me bakterin Salmonella Enteritidis, ka reaguar kryetari i Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi, i cili mohoi kategorikisht që bëhet fjalë për një helmim masiv.

Ajazi deklaroi se ushqimi i fëmijëve nuk përgatitet nga kompani kateringu, por gatuhet në ambientet e kopshtit. Ai theksoi se rastet nuk janë masive dhe se një numër i kufizuar fëmijësh kanë paraqitur simptoma dhe janë trajtuar në spitalin e Gramshit.

“Në ditët e fundit është shfaqur një rast, më pas u bënë dy dhe gjashtë, fëmijë nga i njëjti kopsht që morën ndihmë mjekësore në spitalin e Gramshit. Kjo na vuri në alert. Dua të sqaroj disa të pavërteta të mëdha: nuk kemi të bëjmë me 672 raste helmimi, as me 72 fëmijë të shtruar, apo helmim për shkak të ushqimit, sepse ende nuk kemi përgjigjen përfundimtare të analizave,” – deklaroi Ajazi.

Ai shtoi se nuk bëhet fjalë për abuzim, por për një situatë të evidentuar tashmë nga institucionet shëndetësore dhe që po hetohet nga Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse.

Për momentin janë sekuestruar kartelat klinike të 6 fëmijëve të shtruar në spital, ndërkohë që kompania “Nelsa SHPK”, që furnizon me ushqime kopshtin, është nën vëzhgim për të përcaktuar burimin e infektimit.