Incident në Toronto, “Delta Airlines” ofron 30 mijë dollarë për çdo pasagjer pas përplasjes së avionit

Kompania ajrore “Delta Airlines” ka vendosur të ofrojë një kompensim prej 30 mijë dollarësh për çdo pasagjer që ndodhej në bordin e avionit që u përplas gjatë uljes në aeroportin e Torontos të hënën. Fatmirësisht, të gjithë personat në bord mbijetuan, pavarësisht ashpërsisë së incidentit.

Avioni, i cili ishte nisur nga Minneapolis, SHBA, me 76 pasagjerë dhe 4 anëtarë ekuipazhi, u përmbys pasi u rrotullua gjatë uljes. Ngjarja ka shkaktuar tronditje tek pasagjerët, të cilët kanë shprehur habinë që shumica arritën të shpëtonin pa lëndime serioze.

Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të incidentit janë ende në vazhdim, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë mund të ketë çuar në këtë aksident.

Sipas një zëdhënësi të kompanisë “Delta”, kompensimi financiar nuk ndikon në të drejtat ligjore të udhëtarëve, të cilët mund të ndërmarrin veprime të mëtejshme nëse e shohin të nevojshme.

Ekuipazhi i avionit dhe ekipet emergjente janë vlerësuar për reagimin e tyre të shpejtë, duke arritur të nxjerrin pasagjerët nga avioni në kohë.

Nga incidenti, 21 persona pësuan lëndime dhe u dërguan në spital. Deri të mërkurën, të gjithë të lënduarit, përveç njërit, ishin larguar nga spitali, duke shënuar një epilog pozitiv për një ngjarje që mund të kishte përfunduar shumë më tragjikisht.