Incident në KZAZ 30, arrestohet 26-vjeçari për dhunimin e sekretarit, policia në kërkim të një 40-vjeçari

Policia ka arrestuar një 26-vjeçar me iniciale R. N., i dyshuar si vëzhgues i Partisë Socialiste, për dhunën e ushtruar ndaj sekretarit të KZAZ 30, Remzi Mehmeti, brenda ambienteve të qendrës së numërimit të votave në Kashar.

Sipas policisë, R. N. e ka goditur sekretarin me grushte dhe shkelma gjatë një përplasjeje që ndodhi të enjten, ndërsa një tjetër person, 40-vjeçari O. D., është shpallur në kërkim për përfshirjen e tij në konflikt.

Në një deklaratë për mediat, Mehmeti shpjegoi se sherri nisi kur disa persona kaluan perimetrin e sigurisë dhe e sulmuan pas një debati për një votë të kontestuar që, sipas tij, i përkiste Orlando Rakipit të PS-së. Mehmeti tha se nuk i ka identifikuar dhunuesit, por ka bërë kallëzim pranë policisë.

“Vota që po kontestohej ishte vota e Orlando Rakipit. Ishte votë e PS dhe normalisht duhet të ishin njerëzit e tij. Ne ishim vetëm për ta vlerësuar,” tha Mehmeti, duke theksuar se incidenti ndodhi pasi ai kërkoi që vëzhguesit të largoheshin nga perimetri i sigurisë.

Pas incidentit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka revokuar akreditimet e të gjithë vëzhguesve të KZAZ-së nr. 30, Qarku Tiranë, të cilët ishin akredituar për procesin zgjedhor të Kuvendit të datës 11 maj 2025.

KQZ deklaroi se ky vendim është marrë në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe vendimin nr. 23, datë 1.2.2023, për kriteret dhe procedurat e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe palët e prekura kanë të drejtë ankimi brenda tre ditëve nga shpallja e tij.

Gjatë kontrollit pranë qendrës së numërimit në Kashar, policia gjeti dhe sekuestroi një shumë të konsiderueshme parash brenda një automjeti të parkuar pranë KZAZ-së, duke ngritur dyshime për përfshirje të mundshme të vëzhguesve në tentativa për blerje votash.