Inceneratori i Tiranës/ Mbahet seanca në Apel, Alqi Bllako kërkon pafajësinë: S’kam qenë zyrtar i lartë

Ka përfunduar pas dy orësh seanca në Apelin e Posaccëm Antikorrupsion në ngarkim të ish deputetit socialist Alqi Bllako, i cili ka ankimuar vendimin e shkallës së parë për dënimin e tij me 4 vite burg lidhur me inceneratorin e Tiranës.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm avokatët e Bllakos, si dhe vetë ky i fundit, i cili kërkoi pafajësi me argumentin se posti i tij nuk futet tek zyrtarët e lartë dhe nuk mund të ngrihet akuzë si një i tillë.

Por, organi i akuzës i kërkoi shkallës së dytë të gjyqësorit që të qëndrojë në fuqi vendimi i GJKKO, sepse Alqi Bllako është funksionarë i lartë.

Pasi togat e zeza dëgjuan pretendimet e prokurorëve dhe kërkesën e avokatëve të Bllakos, caktuan datën 23 korrik për të shpallur vendimin për ish deputetin socialist.

Bllako u dënua nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion në 11 mars të këtij viti me 4 vite burg, dënim i cili zbriti në 2 vite e 8 muaj për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, pasi u gjet fajtor për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv” në dy raste.

Ish deputeti është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në shkallë të parë.