Inceneratori i Tiranës, GJKKO dënon me 4 vite burg ish-deputetin e PS, Alqi Bllako

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako është dënuar me 4 vite burg nga Gjykata e Posaçme për dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Nga gjykimi i shkurtuar, Bllako do qëndrojë në qeli për 2.8 vite. Bllako akuzohet për korrupsion në dy raste, teksa i është komunikuar akuza pak ditë më parë nga prokurori Dritan Prençi, teksa ai ndodhet në qeli prej me shume se dy vite.

Bllako, për inceneratorin e Elbasanit, u shpall i pafajshëm nga Shkalla e Parë. Kurse për inceneratorin e Fierit u dënua me katër vite, dënim i cili zbriti në 2.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në muajin prill të këtij viti, Prokuroria e Posaçme SPAK çoi për gjykim një pjesë të të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës: ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, Pëllumb Abeshin, Erjon Murataj, Bledar Karolin, Taulant Tushën, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj, si dhe Silena Tolën.

Organi i akuzës i komunikoi atyre akuzën për “Shpërdorim Detyre”. Koka, ish-ministër i Mjedisit, ka hedhur akuza të forta, duke u mbrojtur me pretendimin se nuk është “peshku i madh” që drejtësia kërkon, ndërsa ka ftuar që të hapet telefoni i Monika Kryemadhit për të zbuluar të vërtetën e tij.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkon dënime më të rënda për të dy ish-zyrtarët, ndërsa kërkesat për dënime për individë të tjerë të lidhur me rastin po ashtu janë të shumta.

Koka gjatë seancës iu drejtua prokurorëve të SPAK-ut dhe togave të zeza se në dosjen në ngarkim të tij ishin deklaratat e deputetes së Partisë së Lirisë. Ai tha se SPAK-u e përpiloi dosjen në mënyrë të tillë që ta dënonin për korrupsion, akuzë të cilën ai e mohon.