Ish-deputeti i PS, Alqi Bllako doli sot në seancën gjyqësore, si pjesë e dosjes së të akuzuarve në çështjen e Inceneratorit të Tiranës.
Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të Bllakos dhe që të dënohet me 5 vite burg për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë. Bllako ka mbajtur postin e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit.
Mbrojtja e Alqi Blakos thekson se projekti i ndërtimit të inceneratorit të Tiranës është dhënë nga Bashkia e Tiranës, teksa theksoi se ai ka bërë thjesht sigurimin e shkresave, të cilat i ka pasur për detyrë për shkak të funksionit të tij. Sipas avokatëve, Alqi Blako nuk ka përfituar para nga kjo çështje.
Ai nuk ka qenë anëtar komisioni në lidhje me këtë çështje. Në 15 mbledhjet, ai nuk ka qenë pjesëmarrës, ai ka firmosur 3 shkresa për shkak të hierarkisë administrative. Avokatët pretendojnë se Blako ka firmosur shkresat të cilat janë dërguar nga institucionet përgjegjëse.
Mbrojtja pretendon se familja e Blakos ka ndihmuar një kompani të zotit për të testuar pajisjen për gazimin e pijeve. Mbrojtja kërkon pafajësi për Alqi Blakon.
Gjatë seancës, Blako u shpreh:
“Parashtrimet i mia i kam përgatitur me shkrim, së pari unë deklarohem tërësisht i pafajshëm pasi nuk plotësohen asnjë nga kriteret ligjore përsa i përket figurës së veprës penale të korrupsionit pasiv e kryer në dy raste. Organi procedues nuk ka arritur të provojë asnjë shkelje ligjore nga ana ime në lidhje me detyrën time funksionale. Sekretari i përgjithshëm nuk ka pasur asnjë rol në këtë procedurë, madje s’kam marrë pjesë as si vëzhgues në mbledhjen e komisionit për dhënien e koncesionit. Së pari, së dyti, vetëm anëtarëve të KVO u është kërkuar të plotësojnë deklarata për konfliktin e interesit, ndërkohë që unë, si sekretar i përgjithshëm, nuk kam pasur asnjë detyrë. Organi procedues pretendon se unë kam ndërhyrë tek Zoto për të punësuar Vladimir Bezhani. Ky i fundit është punësuar në nëntor të vitit 2014, ndërsa ideja për ndërtimin e impiantit të Tiranës ka nisur në dhjetor 2015. Procedura ka nisur në vitin 2016 dhe kontrata është lidhur në gusht të vitit 2017. Zoti Bezhani nuk është pjesë e rrethit tim shoqëror, as familjar, unë se kam njohur për herë të parë zotin Bezhani, por në vitin 2017, kur kam nisur punën si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.”