Inaugurohet Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes
14 January, 2024
Kryeministri Edi Rama ishte në Ministrinë e Mbrojtjes në inaugurimin e Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, që cilësohet me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve të informacionit.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se kjo njësi do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të funksionojë falë ekspertizës së specializuar të profesionistëve dhe teknologjisë së përparuar.
Kjo është njësia më e re për sigurinë kibernetike. Ky investim është ndarë në tre pjesë, në tre lote. Loti parë është investimi që shikoni këtu, kompjutera, sisteme, serverë, monitorë dhe trajnime që jemi në proces duke i bërë në lidhje me fushën e Cyber-it. Loti i dytë është pjesa për përmirësimin e infrastrukturës aktuale në rrjetin e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe loti i tretë është këshilltari jonë, që do jetë pjesë për tre vjet, duke na mbështetur për sigurinë kibernetike dhe do jetë atashuar pranë Shqipërisë. Këtu është qendra operacionale e sigurisë kibernetike që operojmë 24/7. Edhe natën kemi persona që monitorojnë rrjetin e forcave të armatosura”, – shpjegoi një prej punonjësve të njësisë.
Falë teknologjisë më bashkëkohore, që përdoret aktualisht edhe në SHBA në lidhje me sigurinë kibernetike, gjithçka po funksionon si duhet, duke shmangur në kohë çdo tentativë të mundshme për sulm kibernetik.
“Sistemi në kohë reale siguron alerte, të cilat mund të kenë qëllime keqdashëse ndaj sistemeve. Në orët e para kemi parë një tentativë të mundshme, një aplikacion të panjohur, i drejtuar drejt një pajisjeje, e cila ndodhet te Akademia e Forcave të Armatosura dhe që është një pajisje shumë kritike për sistemet e Forcave të Armatosura. Si skuadra e monitorimit, ne bëjmë analizimin bazik të çdo eventi që gjenerohet nga platforma dhe nga analizimi bazik që mund të gjykojmë të gjithë rrjedhjen e informacionit që ka pasur nga tentativat e aktorëve që mund të jenë keqdashës, drejt pajisjeve tona, shikojmë që disa prej tyre janë kategorizuar nga kjo platformë si keqdashëse. Unë si monitorues mendoj që kjo është diçka që mund të jetë kritike për sistemet tona dhe mund të ketë efekte negative, menjëherë këtë e kaloj te skuadra operacionale për një analizim më te detajuar”, – detajoi një tjetër punonjës mënyrën e funksionimit të njësisë.