Ina Majko nis detyrën si zëvendësministre e Shëndetësisë, Albana Koçiu i uron mirëseardhjen: Kapituj që mbyllen dhe të rinj që nisin

Ina Majko ka nisur zyrtarisht detyrën si zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke marrë stafetën nga paraardhësi i saj, Niko Hyka. Lajmi është bërë publik nga vetë ministrja Albana Koçiu përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe një fotografi të përbashkët me zv.ministren e re dhe me zyrtarin e liruar nga detyra.

“Çdo skuadër ka kapituj që mbyllen dhe të rinj që nisin, gjithmonë me energji të reja përpara,” shkruan Koçiu, duke falënderuar Hyka për kontributin e tij gjatë muajve të fundit në ministri. Në të njëjtën kohë, ajo i uroi mirëseardhjen Ina Majkos: “Mirë se erdhe Ina Majko – suksese në këtë rrugëtim të ri si pjesë e ekipit tonë!”

Ina Majko, e cila në zgjedhjet e 11 majit kandidoi për Partinë Socialiste në listat e hapura të qarkut Vlorë, nuk arriti të sigurojë një mandat deputeteje në Kuvendin e ri, por kryeministri Edi Rama e kishte paralajmëruar më herët se ajo do të ishte pjesë e qeverisë, nëse nuk do të zgjidhej.