Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkvi i Arkidioqezës Shkodër-Pult nis misionin e tij baritor

Arqipeshkvi i ri i Arkidioqezës Metropolitane Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine, ka marrë në zotërim kakonike Katedralen e Shkodrës, duke shënuar kështu edhe nisjen zyrtare të detyrës së Arqipeshkvit të Shkodrës.

Në hyrje të Katedrales së Shkodrës, ai u përshëndet nga Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, i cili i uroi mirëseardhjen Arqipeshkvit të ri.

Më pas, ceremonia vazhdoi me dorëzimin e bastunit të Arqipeshkvit parardhës, Imzot Angelo Massafra, si një simbol i vazhdimësisë së udhëheqjes baritore të kësaj dioqeze.

Në fjalën e tij para besimtarëve të shumtë në Katedralen e Shkodrës, Imzot Peragine u shpreh se duhet të kthehemi nga besimtar individual në besimtar komunitar dhe të gjithë së bashku të punojmë për të ulur pabarazinë sociale, emigracionin si plagë të shoqërisë dhe braktisjen e moshës së tretë.

Në Meshë ishin të pranishëm autoritetet vendore, Ipeshkvijtë e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe Vikari i Papes për Arkidioqezën e Romës, Kardinal Angelo De Donatis. Imzot Giovanni Peragine është Arqipeshkvi i 71-të i Dioqezës së Shkodrës, ndërsa ai vjen në drejtim të Kishës Katolike të Shkodrës pasi për 19 vjet ka shërbyer si famullitar në Milot dhe më pas është caktuar si Ipeshkëv i Administratës Apostolike të Jugut.