Imitojnë njerëzit duke u mbytur/ A po përpiqen krokodilët të joshin njerëzit drejt vdekjes? Çfarë thonë ekspertët për teoritë e çuditshme

Një video e filmuar në ujërat e Borneos, Indonezi, ka shkaktuar debate të shumta pas publikimit të saj. Në pamje, një krokodil shihet duke lëvizur këmbët mbi sipërfaqen e ujit në mënyrë të pazakontë, duke krijuar përshtypjen se imiton një njeri që po mbytet.

Banorët lokalë besojnë se kjo sjellje mund të jetë një taktikë për të joshur njerëzit drejt rrezikut, por ekspertët kanë hedhur poshtë këto pretendime.

Ekspertët japin shpjegime shkencore

Sipas Brandon Sideleau, studiues i konflikteve midis njerëzve dhe krokodilëve në Universitetin Charles Darwin, sjellja ka një arsye të thjeshtë: “Ka shumë mundësi që krokodili ka ushqim në nofulla dhe po e përpunon atë. Kjo është një sjellje e zakonshme në habitatet e tyre natyrore.”

Këtë teori e mbështeti edhe Gregory Erickson, profesor i shkencave biologjike në Universitetin Shtetëror të Floridës, i cili deklaroi: “Krokodilët janë të fshehtë dhe nuk kanë nevojë për metoda të tilla ekstreme për të kapur prenë e tyre.”

Rreziku i krokodilëve të ujërave të kripura

Megjithëse ekspertët e konsiderojnë të pamundur që krokodilët të jenë duke imituar njerëzit që mbyten, ata theksojnë se këto kafshë janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Sipas BBC-së, në Indonezi janë raportuar mbi 1000 sulme nga krokodilët gjatë dekadës së fundit, ku më shumë se 450 prej tyre kanë qenë fatale.

Ekspertët këshillojnë që krokodilët të trajtohen me kujdes dhe respekt, duke shmangur çdo kontakt të panevojshëm me ta.