Imamoglu reagon nga burgu pas tubimit masiv në Stamboll: Kombi turk do të fitojë, mos e humbni shpresën
Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, ka reaguar nga burgu pas tubimit të madh protestues në qytet, duke dërguar një mesazh shprese dhe qëndrese për mbështetësit e tij.
“Kombi im i dashur, mos e humbni kurrë shpresën. Një grusht njerëzish që nuk kanë ndjenjën e drejtësisë dhe ligjit do të humbasin, kombi do të fitojë. Miliona njerëz mbrojtën vullnetin e tyre sot. Faleminderit, Stamboll!”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Protesta masive u mbajt në periferi të Stambollit, në Maltepe, pas thirrjes së Partisë Popullore Republikane (CHP). Sipas organizatorëve, në protestë morën pjesë 2.2 milionë persona, ndërsa kreu i Bashkisë së Ankarasë, Mansur Yavas, deklaroi se ishin qindra mijëra qytetarë të pranishëm.
Masat e sigurisë ishin të rrepta, me policinë që kontrollonte pjesëmarrësit dhe vendosjen e barrierave metalike rreth zonës së tubimit. Demonstruesit brohoritën slogane si “Drejtësi”, “Qeveria jep dorëheqjen” dhe “Të gjithë bashkë ose asnjë”.
Në protestë ishin të pranishëm edhe familjarët e Imamoglu, përfshirë bashkëshorten e tij, Dilek Imamoglu, e cila mbajti një fjalim para turmës. Arrestimi i Imamoglu ka shkaktuar reagime të forta dhe protesta të vazhdueshme në Turqi, ndërsa mbështetësit e tij e konsiderojnë atë një sulm politik ndaj opozitës.