Imamoglu nga burgu: Erdogan e ka kthyer Turqinë në “republikë frike”
Lideri opozitar turk, Ekrem Imamoglu, ka akuzuar presidentin Rexhep Tajip Erdogan për shkatërrimin e institucioneve demokratike dhe shtypjen e kritikëve, duke e shndërruar Turqinë në një “republikë të frikës”.
Imamoglu, 53 vjeç, kryetar i Stambollit, u arrestua javën e kaluar dhe po mbahet në burgun e sigurisë së lartë Marmara, nën akuzat për korrupsion dhe nxitje të terrorizmit, akuza të cilat ai i ka mohuar.
Në një kolumne të publikuar nga New York Times, ai shkruan se regjimi i Erdoganit ka heshtur mediat, ka kontrolluar gjyqësorin dhe ka manipuluar zgjedhjet.
Arrestimi i tij ka shkaktuar protesta në gjithë Turqinë, me mijëra qytetarë në rrugë dhe qindra të ndaluar, përfshirë gazetarë. Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e reagimeve ndërkombëtare, duke thënë: “Heshtja e liderëve botërorë është shurdhuese”.
Analistët e shohin arrestimin e Imamoglus si një lëvizje politike për ta larguar atë nga gara presidenciale e vitit 2028.