Ilir Proda takim me maturantët në Shkodër: Zgjidhni Akademinë e Sigurisë, Shqipëria ka nevojë për ju!
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një takim të posaçëm me maturantë nga shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës, me synimin për të promovuar Akademinë e Sigurisë dhe për të inkurajuar të rinjtë që të zgjedhin këtë drejtim studimi si një mundësi për të ndërtuar një të ardhme në shërbim të vendit.
I shoqëruar nga drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, si dhe nga drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, Brisela Kadija, Drejtori Proda u shpreh përballë të rinjve se Policia nuk është thjesht një profesion, por një mision fisnik, që ka në themel shërbimin ndaj qytetarëve.
“Policia është një mision i vështirë, por jashtëzakonisht fisnik. Qëllimi i këtij misioni është t’iu shërbesh qytetarëve, të mbrosh jetën dhe pronën e tyre. Nuk ka privilegj më të madh se sa t’i shërbesh vendit. Ju ftoj që të zgjidhni Akademinë e Sigurisë, Shqipëria ka nevojë për ju”, – u shpreh Proda.
Ai theksoi se Policia e Shtetit sot është e konsoliduar, e trajnuar mirë, e pajisur me mjete moderne dhe e barabartë me strukturat homologe në Europë dhe SHBA. Akademia e Sigurisë është e njohur dhe e certifikuar ndërkombëtarisht, dhe ofron studime “Bachelor” në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, me module të standardizuara.
Drejtoresha Brisela Kadija, në fjalën e saj, falënderoi Drejtorin për vizitën në Shkodër dhe nënvizoi rëndësinë që ka ky takim për maturantët, duke theksuar se mbajtja e uniformës së Policisë së Shtetit është një privilegj dhe krenari për çdo të ri.
Ndërsa nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, vlerësoi rendin dhe sigurinë në qytet dhe u bëri thirrje të rinjve të japin kontributin e tyre në ruajtjen e këtyre vlerave duke iu bashkuar Policisë së Shtetit.